Ekspozita AKTUALE
EN MK

TË HUMBUR NËPËR TË ÇARA: Obri Uilliams dhe koleksioni i MAB – Shkup

5/11/2026 – 21/03/2027

Hapja – 5.11.2026, në orën 19:30
Premiera botërore e shfaqjes “i heard whispers at table rock” nga Leo Robinson në orën 20:00
 
Koleksioni unik i Muzeut të Artit Bashkëkohor në Shkup mbart potencial për kërkime dhe rizbulime. Mundësitë që hap ky koleksion, të nxitura nga puna e studiuesve, vazhdojnë të na befasojnë. Prandaj, një nga orientimet kryesore është hapja ndaj riformësimit të narrativës, duke inkurajuar vazhdimisht hulumtimin e marrëdhënieve të reja dhe rileximet.
 
Pikturat abstrakte të Aubrey Williams (1926–1990) evokojnë forcat elementare të tokës, zjarrit dhe kataklizmave. Ndërsa krijimtaria pioniere e këtij artisti po merr gjithnjë e më shumë vlerësim në Britani, ku ai jetoi dhe punoi, krahas Guajanës, Xhamajkës dhe Floridës, dy nga veprat e tij të hershme për pak sa nuk mbetën të humbura në koleksionin e Muzeut të Artit Bashkëkohor në Shkup (MAB–Shkup), për shkak të një gabimi të thjeshtë në sistemin e katalogimit.
 
 
Obri Uilliams (1926-1990), Trofeu i gjahtarit, 1959, tempera në letër, 40 x 55 cm. Koleksioni i imazheve, MAB – Shkup
 
 
Me rastin e shënimit të njëqindvjetorit të lindjes së artistit në vitin 2026, ekspozita “Të humbur nëpër të çara: Aubrey Williams dhe të tjerët në koleksionin e MAB–Shkup” nis me rizbulimin e dy pikturave të Williams, të cilat ekspozohen për herë të parë që nga dhurimi i tyre veçmas në vitet 1960, dhe njëkohësisht për herë të parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Nga kjo bërthamë, duke ndjekur valët sizmike të tërmetit, shtrihen vepra nga koleksioni, të dhuruara nga artistë, galeri dhe komunitete me të cilat Williams kishte lidhje. Veprat e Denis Bowen, Kenneth Coutts-Smith, Frank Avray Wilson, Halima Nałęcz dhe artistëve të tjerë të lidhur me galerinë New Vision Centre në Londër sugjerojnë se si dhe pse veprat e Williams mund të kenë mbërritur në Shkup. Valët pasuese sugjerojnë lidhje më spekulative me artistë nga ish-Jugosllavia dhe më gjerë, shumë prej të cilëve ndanin interesin artistik të Williams për katastrofat “natyrore”. Në këtë mënyrë, “Të humbur nëpër të çara” ofron perspektiva të reja, të bazuara në marrëdhënie, mbi përgjigjet artistike ndaj tërmetit të vitit 1963 – ngjarja që çoi në krijimin e “Koleksionit të solidaritetit” në Shkup, si pjesë e përpjekjeve të gjera transnacionale për rindërtimin e qytetit të rrënuar.
 
Kuratorja Jelena Sofronijevic mbështetet në konceptin e “të dridhurit bashkë me” (trembling with) koleksionet muzeale, të huazuar nga mendimtari nga Martinika, Édouard Glissant (1928–2011), si praktikë e “refuzimit të të gjitha kategorive të mendimit të ngurtë dhe perandorak”. Veprat zanore të artistëve bashkëkohorë Emii Alrai dhe Leo Robinson i japin formë kësaj perspektive kritike, duke përfshirë një vepër të re zanore si përgjigje ndaj një opere të kompozitorit Dmitri Shostakovich, mik i afërt dhe burim frymëzimi për Williams. 
 
Kjo vepër, e krijuar posaçërisht për vendndodhjen konkrete në Maqedoninë e Veriut, është vendosur së bashku me riprodhime të veprave të Williams nga koleksione britanike të artit në Yorkshire – ndër to edhe Cartwright Hall në Bradford, qytet i binjakëzuar me Shkupin pas tërmetit të vitit 1963.
 
Kuratori Vladimir Jançevski, duke u nisur nga kriza e imagjinatës në epokën e përsiatjeve mbi “fundin”, sheh një mundësi për rishqyrtimin e mëtejshëm të diskursit bashkëkohor apokaliptik përmes pikëpamjeve të autorëve si Boaventura de Sousa Santos, Joanna Zylinska dhe T. J. Demos. Veprat nga koleksioni i MAB-së, me paraqitjet e shumta dhe të larmishme të krizave ekologjike, shkatërrimit, madje edhe të mungesës së njeriut, ofrojnë mundësinë për të rishqyrtuar trope të ndryshme mbi fundin e kohës dhe mosekzistencën. Epistemologjitë e shtypura, përmes të cilave katastrofa mund të shihet si diçka më shumë sesa thjesht një kërcënim ekzistencial, përbëjnë një mundësi për një këndvështrim të ri utopik. Instalacioni i Francisco Tomsich, i mbështetur në marrëdhënien e tij shumëvjeçare me Shkupin, duke iu rikthyer së kaluarës, ofron një këndvështrim bashkëkohor mbi mënyrën si e kuptojmë raportin mes katastrofës sociopolitike dhe asaj “natyrore”.
 
Ekspozita “Të humbur nëpër të çara” reflekton mbi marrëdhëniet e vazhdueshme mes koleksioneve, komuniteteve dhe punonjësve të kulturës, dhe pikërisht nga këto të çara përpiqet të nxjerrë forma solidariteti që mund të shërbejnë për ndërtimin e së ardhmes sonë të përbashkët.
 
Artistë: Obri Uilliams, Ahmed Parvez, Alberto Burri, Aleksandar Jankullovski – Cane, A. Oscar (Peter Sheldon-Williams), Birgit Shold, Boro Mitriqeski, Brajan Rajs, Kolin Sakston, Dejvid Hokni, Denis Bouen, Dimçe Koço, Done Miljanovski, Dushan Xhamonja, Dushan Përçinkov, Emii Alrai, Erna Rozenstin, Ferdinand Kulmer, Francisko Tomshiç, Frank Avray Wilson, Halima Nałęcz, Hans Hartung, Harry Ousey, Henri Mur, Howard Hodgkin, James Boswell,  Xhenifer Dikson,  Xhon Dikerson, Kenet Rouat, Leo Robinson, Li Yuan-chia, Mini Fraj, Mira Spirovska, Mohamed Ahmed Abdalla, Munira Al-Kazi, Mustafa Ualid Siti, Nil Murison, Nikolla Martinoski, Olga Jevriq, Ordan Petlevski, Petar Haxhi Boshkov, Petar Lubarda, Petar Mazev, Risto Kallçevski, Risto Llozanovski, Roberto Mata, Rodoljub Anastasov, Skot Dobson, Sofu Teshigahara, Spase Kunovski, Stefan Manevski, Tereza Pegovska, Victor Anton, Victor Pasmore, Wa Ying Show, Wifredo Lam, Yoel Shvarc, Zoran Mushiç.
 
Kuratorë: Jelena Sofronijevic dhe Vladimir Jançevski
 
Bashkëpunëtorë: Iva Dimovski, Bllagoja Varoshanec; Konservator: Lupço Ilovski; Dizajni grafik: Iliana Petrushevska; Dizajni dhe përgatitja për shtyp: Albana Bektesh Ramadani; Realizimi teknik: Jordan Arsovski, Marjan Gjorgjiev; Koordinatorë: Besnik Emini, Fanol Ademi
 
Ekspozita përbëhet nga vepra të koleksionit të MAB–Shkup, si dhe nga vepra të artistëve bashkëkohorë të ftuar, dhe është pjesë e programit vjetor të Muzeut të Artit Bashkëkohor, të mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
 
Biografi:
 
Leo Robinson (1994, Staffordshire) është artist multidisiplinar që jeton dhe punon në Londër. Puna e tij eksploron modele të reja ritualesh dhe ceremonish përmes instalacioneve skulpturore, videos, tingullit dhe veprave diagramatike, duke spekuluar mbi mënyrat se si mund të krijojmë sisteme dhe simbole të reja përmes ndërthurjes së burimeve nga kultura pop, mitologjia dhe teoria. Robinson ka ekspozuar në Chapter Arts Centre në Cardiff, KU Leuven, The Hunterian në Glasgow, Sainsbury Centre në Norwich dhe London Mithraeum Bloomberg Space. Në vitin 2025, ai fitoi çmimin “Art Foundation Futures Award” për artet pamore. Muzika e tij është botuar nga PRAH Recordings, ndërsa ai ka performuar edhe drejtpërdrejt në BBC 6Music.
 
Emii Alrai (1993, Blackpool) është artiste, puna e së cilës përfshin hulumtimin e materialeve në raport me kujtesën, kritikën e strukturës muzeologjike perëndimore dhe kompleksitetin e rrënojave. Ajo punon kryesisht në fushën e skulpturës dhe instalacionit, duke krijuar hapësira në përmasa të mëdha, të mbështetura në kërkime që lidhen me arkeologjinë dhe mjediset natyrore nga të cilat nxirren objektet gjatë gërmimeve. Praktika e saj artistike përfshin gojëdhëna, nostalgji të trashëguar dhe nuanca gjuhësore, me synimin për të rishqyrtuar ngurtësinë e perandorisë dhe fuqinë e hierarkisë për të ndikuar mbi praninë statike të historisë.
Francisco Tomsich (1981, Uruguaj) është artist dhe autor slloveno-uruguajan që aktualisht jeton në Istria. Puna e tij buron nga nevoja për të vendosur dialogë kritikë mes imazheve të së kaluarës, nocioneve mbi të tashmen dhe modeleve aktive të së ardhmes. Ai krijon ekspozita, botime, vepra skenike, modele kërkimore dhe mjete pedagogjike, duke përdorur media dhe gjuhë të ndryshme. Është bashkëthemelues dhe anëtar i shumë shoqatave të punonjësve të kulturës në Amerikën e Jugut dhe në Evropë, që veprojnë jashtë kufijve disiplinorë. Është fitues i Çmimit Kombëtar për Letërsi të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës të Uruguajit (2012, 2025), si dhe i bursës FEFCA për artistë të rinj nga i njëjti institucion (2013). Ka marrë pjesë në Bienalen e Shtatë MERCOSUR (2009) dhe në Bienalen e Parë të Montevideos (2012).
 
Jelena Sofronijevic (@empirelinespodcast) (1998, Telford) është producente, kuratore, shkrimtare dhe studiuese që punon në ndërthurjen e historisë kulturore, politikës dhe artit. Projektet e saj të pavarura kuratoriale përfshijnë Invasion Ecology (2024), Seeds of Hate and Hope në Sainsbury Centre (2025) dhe Peripheries and Horizons, në bashkëpunim me House of European History (2026). Jelena prodhon EMPIRE LINES, një podkast që zbulon rrjedhat e papritura të perandorive përmes artit, i mbështetur në kuadër të angazhimit të saj si kuratore pranë Radical Ecology (2026–2027). Ajo po ndjek gjithashtu një doktoraturë të bazuar në praktikë në Gray’s School of Art, duke kuruar ekspozita me artistë ballkanikë dhe jugosllavë, përfshirë ata të diasporës, në koleksione britanike të artit. Një pjesë e madhe e kërkimit të Jelenës përqendrohet në zgjerimin e larmisë së përfaqësimeve të komuniteteve dhe kulturave të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) dhe diasporës së tyre, veçanërisht nga Ballkani dhe Jugosllavia, si dhe në histori bashkëkohore më konstruktive të mosangazhimit. Në një kuptim më të gjerë, Jelena synon t’u japë hapësirë përvojave të jetuara dhe perspektivave që shpesh margjinalizohen ose përjashtohen nga përfaqësimi, veçanërisht në aktivizmin antikolonial dhe ekologjik. Recensioni i Jelenës për monografinë Aubrey Williams: Art, Histories, Futures (2024), të redaktuar nga Ian Dudley dhe Maridowa Williams dhe të botuar nga Qendra Paul Mellon për Studime mbi Artin Britanik, në bashkëpunim me Yale University Press, u botua në The Art Newspaper në vitin 2025.
 
Vladimir Jançevski (1984, Shkup) është kurator në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup dhe punon paralelisht në fushën e artit bashkëkohor dhe të studimeve vizuale. Interesat e tij përfshijnë praktikat artistike ndërdisiplinore dhe teorinë e imazhit, ndërhyrjet në hapësirën publike, aktet ikonoklastike dhe “luftërat vizuale”. Që nga viti 2004, ka qenë bashkorganizator, kurator dhe pjesëmarrës në shumë ngjarje: ekspozita kolektive, projekte bashkëpunuese, ligjërata dhe diskutime publike. Ka qenë një nga anëtarët kryesorë të nismës artistike “KOOPERACIJA” (2012–2015). Bashkëpunon me Qendrën për Studime Vizuale – Shkup që nga themelimi i saj në vitin 2011 dhe ka marrë pjesë në disa konferenca ndërkombëtare. Ka kuruar ekspozita kolektive dhe individuale të artistëve, ndër të cilët: Igor Grubić, Nikolla Uzunovski, Grupi OPA, Alban Muja, Iskra Dimitrova, Canan Şenol, Artur Żmijewski dhe Driton Selmani. Është fitues i çmimit për kritikë të artit figurativ “Ladislav Barishić” për vitin 2019, të ndarë nga AICA – Maqedoni.
 
Fotografia e kopertinës: Hulumtime në Departamentin e Dokumentacionit të MAB – Shkup, 19 mars 2026. Foto: Vladimir Jançevski.
 
 

EKSPOZITA TË KALUARA

ПИКАСО, СЛИКАТА НА МУЗЕЈОТ: Избор на дела од колекцијата на МСУ - Скопје

14/10/2026 - 28/10/2026

СОЛИДАРНОСТА КАКО ИДНИНА

29/09/2026 - 28/10/2026

ЛАЗЕ ТРИПКОВ: Имерзивна трансформација на глаголицата

21/08/2026 – 05/09/2026

ПРЕКИН ВО ТЕК

29/07/2026 - 20/08/2026