Ngjarje i heard whispers at table rock, perormance nga Leo Robinson
EN MK

i heard whispers at table rock, perormance nga Leo Robinson

05/11/2026

*i heard whispers at table rock* është një performancë audio nga Leo Robinson, e krijuar si përgjigje ndaj dy pikturave të Aubrey Williams që gjenden në ekspozitë “TË HUMBUR NËPËR TË ÇARA: Obri Uilliams dhe koleksioni i MAB – Shkup”. Kjo vepër vijon përpjekjet e Robinson-it për të sjellë në pah manifestime të një bote të brendshme diasporike e të fragmentuar, duke thirrur jo vetëm shpirtrat indigjenë dhe ata të paraardhësve, por edhe psikologjinë e migrimit dhe ndjesinë e të mos qenit pjesë e një vendi. Vepra mbështetet te përpjekja e Williams-it për të bashkuar ndikime që duken krejtësisht të ndryshme: veprat muzikore monumentale të Shostakoviçit – që i përkasin traditës klasike perëndimore – qëndrojnë krah për krah me pasionin e tij të përjetshëm për simbolet indigjene të Amerikave, duke pikturuar një botë të brendshme dinamike dhe komplekse, ku këto elemente bashkëjetojnë. Për të krijuar sfondin, vepra përdor manipulimin e drejtpërdrejtë të një regjistrimi të famshëm (dhe të diskutueshëm) të vitit 1957, i cili përmban Simfoninë e 5-të të Shostakoviçit. Përmes një kolazhi tingujsh të improvizuar dhe në zhvillim të vazhdueshëm, integrohen fragmente nga materiale etnografike të shekullit të 20-të, materiale efemere bashkëkohore nga interneti, goditje instrumentesh perkusioni të luajtura live, si dhe regjistrime të vetë Robinson-it të bëra në terren, në rajonin e Karaibeve.

Leo Robinson (lindur më 1994, Staffordshire) është një artist multidisiplinar që jeton në Londër. Puna e tij eksploron modele të reja ritualesh dhe ceremonish përmes instalacioneve skulpturore, videos, tingullit dhe veprave me natyrë diagramatike; ai spekulon mbi mënyrën se si mund të krijojmë sisteme dhe simbole të reja duke ndërthurur burime nga kultura popullore, mitologjia dhe teoria. Kjo vepër përfytyron topografi të një “psiko-hapësire” dhe, brenda tyre, mënyra shërimi për pasardhësit e atyre që kanë përjetuar migrimin, shkëputjen shpirtërore dhe dhunën koloniale. Ai ka ekspozuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ndër ekspozitat e tij vetjake përfshihen: *DREAM-BRIDGE-OMNIGLYPH*, London Mithraeum Bloomberg Space, 2024; *On Exactitude*, Indigo+Madder, 2023; *The Infinity Card*, Chapter Arts Centre, 2022; *Theories for Cosmic Joy*, Tiwani Contemporary, 2019. Ndër ekspozitat në grup përfshihen: *Play Power*, Sainsbury Centre, 2026; *The Trembling Museum*, Hunterian Art Gallery, 2023. *To The Edge of Time*, KU Leuven, 2021. Ai ka marrë pjesë në rezidenca artistike në G.A.S (Nigeri, 2023) dhe Hospitalfield (Skoci, 2025). Në vitin 2025, ai u nderua me çmimin *Art Foundation Futures Award* për Artet Pamore dhe iu besua një projekt për *Earth Rising: Messages from the Pale Blue Dot* të *Artangel*. Muzika e tij është publikuar nga *PRAH Recordings* dhe është interpretuar “live” në *BBC 6Music*.

NGJARJE TË KALUARA