04/12/2025 - 14/02/2026
Ekspozita bashkon artistë austriakë dhe maqedonas që hulumtojnë lidhjen mes njeriut dhe natyrës në epokën e antropocenit.
Kriza klimatike planetare sot po shfaqet me një shqetësim gjithnjë e më të madh. Fenomenet ekstreme të motit dhe pasojat e tyre shkatërruese po e ndryshojnë përgjithmonë përfytyrimin tonë romantik për “natyrën e pastër”. Si reagim ndaj këtyre ndryshimeve, ekspozita multimediale Preke natyrën bashkon artistë austriakë dhe maqedonas që mbajnë një qëndrim të qartë ndaj pasojave të Antropocenit. Puna e tyre nuk kufizohet vetëm në dokumentimin dhe artikulimin e rezistencës kundër shfrytëzimit të natyrës, por krijon edhe strategji nxitëse për një ndryshim thelbësor të mënyrës se si e shohim botën. Përmes veprave të tyre, artistët ofrojnë vizione plot shpresë, mundësi të reja për marrëdhënien mes njeriut dhe botës, të bazuara në kujdes, respekt dhe përgjegjësi ndaj mjedisit.
Njerëzimi prej kohësh e ka humbur iluzionin se qëndron mbi natyrën dhe sundon mbi të. Njerëzit nuk mund të kuptohen si të ndarë nga mjedisi i tyre, por vetëm përmes marrëdhënieve të tyre të ndërlikuara me qeniet e tjera të gjalla. Artistët e hulumtojnë këtë ndërthurje përmes mediave tradicionale si piktura, vizatimi, fotografia, videoja dhe skulptura, por edhe përmes praktikave të reja si bio-arti, i cili përfshin pjesëmarrjen aktive të organizmave jo-njerëzorë në procesin e krijimit. Ata gjithnjë e më shpesh dalin jashtë hapësirave tradicionale të ekspozimit, duke e lidhur punën e tyre me grupe për mbrojtjen e mjedisit, si edhe me lëvizje eko-feministe. Kështu lindin projekte eko-artistike që bashkojnë hulumtimin artistik dhe aktivizmin ekologjik. Këto projekte shpesh janë rezultat i bashkëpunimit ndërdisiplinor me shkencëtarë nga fusha të ndryshme, të cilët merren me tema si shfrytëzimi ekonomik i tokës, urbanizimi i tepruar, ndikimi global i zakoneve konsumatore, përhapja e epidemive dhe hulumtimi i organizmave të gjallë dhe gjenetikës. Seria e ekspozitave Preke natyrën, e cila deri më tani është prezantuar në 13 forume kulturore austriake në bashkëpunim me galeri dhe muze nga Evropa dhe SHBA-ja, lidhet me idetë e Aleksandër fon Humboltit, pionier i mendimit ekologjik dhe themelues i klimatologjisë, ekologjisë dhe oqeanografisë. Në vitin 1810, ai i shkroi Johan Volfgang fon Gëtes fjalët e famshme: “Natyra duhet të ndihet.”
Kuratore: Sabine Felner
Asistent i kuratores: Lorenc Felner
Artistë:
Xhudit Vagner, Nada Prlja, Petre Nikolloski, Irena Paskali, Michael Endlicher, Donja Alipur, Elena Kristofo, Anika Eshman, Maren Jelef – Klaus Pihler, Monika L. Lokasho, Alfred Hrushka, Prinzpod, Elizabet fon Samsonov, Nives Vidauer, Edgar Honetshleger, Monika Pihler, Marielis Sejler, Aneta Svetieva